Profesionist/e që ofron shërbim supervizimi

20 Janar, 2025by Admin FGE

Termat e Referencës për Profesionistin

 

Organizata: Forumi i gruas elbasan
Lloji i shërbimit: Profesionist Supervizimi
Data e fillimit të kontratës: Shkurt 2025- Korrik 2025
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave Janar 2025

 

Informacion mbi Forumin e Gruas Elbasan

Forumi i Gruas Elbasan (FGE) është një organizatë që operon në Qarkun e Elbasanit për më shumë se 25 vjet. Organizata ka si qëllim mbrojtjen e të drejtave të grave dhe barazinë gjinore përmes programeve të edukimit, ndërgjegjësimit, avokimit; dhunës psiko-sociale-ligjore dhe shërbimeve të tjera alternative.

FGE prej 25 vitesh bën tre shërbime konkrete për vajzat dhe gratë me probleme dhune në familje:

  • Qëndër këshillimi
  • Studio Avokatore
  • Strehëz Emergjente

FGE është gjithashtu një nga shoqatat më aktive në organizimin e fushatave të ndërgjegjësimit mbi çështjet gjinore. Shoqata ka realizuar seanca trajnimi për aktorë të ndryshëm lokalë mbi tema të fokusuara në çështjet gjinore, veçanërisht dhunën në familje.

Përshkrimi i programit

Projekti “Fuqizojmë gratë dhe vajzat për një jetesë të pavarur” ka si objektiv të përgjithshëm forcimin e kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC-ve) për adresimin e pabarazive gjinore, veçanërisht Dhunës me Bazë Gjinore (DHBGJ) dhe krijimin e zgjidhjeve të qëndrueshme me një ndikim të afatgjatë në jetën e individëve në situatë vulnerabiliteti.

Nëpërmjet këtij objektivi, projekti e orienton fokusin tek mbështetja dhe fuqizimi i grave dhe vajzave të cilat jetojnë në situatë vulnerabiliteti, kanë vështirësi ekonomike, janë viktima të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, etj. Mbështetja e tyre do të realizohet përmes punës që do të bëhet me aktorë të ndryshëm në nivel lokal, duke përfshirë këtu profesionistë nga strukturat e Mekanizmit të Koordinuar të Dhunës në Familje (MKR), ofruesit e shërbimeve të kujdesit social lokal, OSHC-të që punojnë në këtë drejtim, vetë vajzat dhe gratë, si edhe anëtarët e komunitetit të gjerë.

Qëllimi i Shërbimit

Në kuadër të projektit “Fuqizojmë gratë dhe vajzat për një jetesë të pavarur”, FGE (Forumi i Gruas Elbasan) është në kërkim të një Profesionisti me profesion Psikolog të Kualifikuar dhe me Përvojë për të ofruar shërbim supervizimi për 20 punonjës që ofrojnë shërbime psiko-sociale dhe shërbime ligjore për të mbijetuarat e dhunës në familje për të shmangur stresin kronik në vendin e punës (Burnout).

Shërbimet do të përfshijnë staf të OJF-ve të Qarkut të Elbasanit.

  • Shërbimet do të realizohet në ambjentin e Forumit te Gruas Elbasan për projektin e “Fuqizojmë gratë dhe vajzat për një jetesë të pavarur”.
  • Për aktivitetin kërkohen shërbimet e mëposhtme:
    • Ofrimi i shërbimit të supervizimit në grup dhe individual për ofruesit e shërbimeve, minimalisht 5 ditë në muaj për 6 muaj.
    • Përgatitja e planit dhe materialeve të nevojshme për realizimin me sukses të supervizimit.
    • Raportimi i takimeve të supervizimit individuale dhe në grup çdo muaj dhe përgatitja e një raporti final.

Rezultatet e pritura të shërbimit:

  1. 20 profesionistë (psikolog, punonjës social, avokat) që ofrojnë shërbime për gratë dhe vajzat e mbijetuar nga dhuna në familje dhe me bazë gjinore do jenë pjesë e një supervizimi individual dhe në grup për 6 muaj.
  2. Profesionistet e sherbimeve psiko – sociale dhe ligjore do informohen, këshillohen dhe pajisen me teknika dhe praktika për mirëqënien dhe parandalimin e konsumimit profesional
  3. Rritja e efiçencës së shërbimit të ofruar nga psikologët, punonjësit social dhe avokatët që kanë përfituar nga supervizimi 6 mujor.

Roli dhe Përgjegjësitë e ofruesit të supervizimit:

  • Realizimi i supervizimit individual dhe ne grup nga Profesionisti.
  • Përgatitja e planit dhe materialeve për ofrimin e supervizimit individual dhe në grupe per stafin që ofron shërbime psiko-sociale dhe ligjore për gratë dhe vajzat e mbijetuara nga dhuna në familje.
  • Eksperti i punësuar do të punojë ngushtë me stafin e FGE-së me qëllim arritjen e objektivit të këtij aktiviteti.
  • Produkti final do t’i dorëzohet Forumit të Gruas Elbasan në formën e një raporti mujor dhe final, për çdo ditë shërbimi, rastet e trajtuara, problematikave të trajtuara.

Përvoja dhe aftësitë e kërkuara/preferuara të ofruesit të shërbimit:

  • Ekspertizë në ofrimin e supervizimit për stafe të shërbimeve sociale.
  • Kërkohet 5 vite përvoje e mëparshme në realizimin e këtyrë shërbimeve.
  • Të ketë kualifikime specifike në fushën profesionale (diploma, certifikata); përparësi u jepet Profesionistëve/Ekspertëve që kanë përfunduar kualifikime dhe trajnime jashtë vendit ose brenda vendit në fushën e barazisë gjinore dhe menaxhimin/supervizimin e stafeve psiko – sociale.
  • Aftësi të mira komunikimi, disponueshmërie dhe fleksibiliteti.

Propozimi/Dokumentet e kërkuara për dorëzim dhe kriteret për vlerësim

Ju lutemi dorëzoni dokumentet e mëposhtme:

  1. Një CV e detajuar që thekson përvojën përkatëse
  2. Përshkrim i Metodologjia dhe Qasja e propozuar, duke përfshirë shtrirjen kohore të shërbimit të kërkuar.
  3. Një letër interesi;
  4. Shembuj të punëve të mëparshme të ngjashme, Referenca
  5. NIPT, QKR, Licenca nëse dispononi
  6. Certifikatë e gjendjes gjyqësore (Dëshmi Penaliteti nga e-albania)
  7. Deklarate e Konfliktit te Interesit
  8. Tarifa e konsulencës në total duke përfshirë të gjitha taksat e zbatueshme sipas Ofertës Financiare.

Kriteret e Vlerësimit

  1. Një CV e detajuar që thekson përvojën përkatëse (35 %)
  2. Metodologjia dhe Qasja e propozuar (20%)
  3. Letër Interesi (5 %)
  4. Referenca të punëve të mëparshme (10%)
  5. Propozimi financiar (30%)

*Shënim: Nuk do ketë fazë negocimi.

Ju lutemi vini re se ky tender ndjek një qasje “oferta më e mirë dhe përfundimtare”. Ofertuesit pritet të paraqesin çmimin e tyre më konkurrues dhe propozimin gjithëpërfshirës fillimisht, pasi nuk do të zhvillohen negociata në lidhje me ofertën financiare pas afatit të dorëzimit.

Propozim Teknik (70%)
Në këtë pjesë, aplikantët do të përshkruajnë qasjen dhe metodologjinë për zbatimin e detyrave. Propozimi duhet të përfshijë një deklaratë që shpjegon arsyetimin për numrin dhe përvojën përkatëse të ekspertit që do të përfshihet në ofrimin e shërbimit.
Ju lutemi specifikoni kriteret e propozimit teknik.

  1. Eksperienca dhe ekpertiza që thekson përvojën përkatëse ( 35 %)
  2. Metodologjia dhe Qasja e propozuar (20%)
  3. Letër Interesi ( 5 %)
  4. Referenca të punëve të mëparshme (10%)

Propozim Financiar (30%)
Aplikantët duhet të ofrojnë një buxhet të detajuar për realizimin e të gjitha detyrave dhe aktiviteteve të parashikuara në këtë thirrje. Buxheti duhet të dallojë të paktën midis ditëve të ekspertizës (ditëve me honorar) dhe kostove të ndryshme që lidhen me përgatitjen, paraqitjen dhe printimin e raporteve.

Vlerësimi Final dhe Dhënia e Kontratës 

Kontrata do t’i jepet propozimit më të mirë teknikisht të pranueshëm duke marrë parasysh çmimet e propozuara.

Formula e mëposhtme do të përdoret për vlerësimin e kombinuar teknik dhe financiar të propozimeve:

Propozimi Financiar me vlerësimin më të ulët (Fm) jepet rezultati maksimal financiar (Sf) prej 100. Formula për përcaktimin e rezultateve financiare (Sf) të të gjitha Propozimeve të tjera llogaritet si më poshtë:

Sf = 100 x Fm / F, në të cilën “Sf” është rezultati financiar, “Fm” është çmimi më i ulët, dhe “F” çmimi i propozimit në shqyrtim.

Peshat e dhëna për Propozimet Teknike (T) dhe Financiare (P) janë:

T = 70, dhe

P = 30

Propozimet renditen sipas rezultateve të tyre të kombinuara teknike (St) dhe financiare (Sf) duke përdorur peshat (T = pesha e dhënë Propozimit Teknik; P = pesha e dhënë Propozimit Financiar; T + P = 1) si më poshtë: S = St x T% + Sf x P%.

Procedura e aplikimit: Të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentat e mësipërme në E-mail-in zyrtar të FGE-së:  [email protected] ose nëpërmjet postës në adresën -Lagja “Luigj Gurakuqi”, Rruga “Qemal Stafa”, Pallati 70, Sh 2, Apt.3.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është 27 Janar 2025.

Shënim: Të gjitha aplikimet e dorëzuara në një mënyrë tjetër nga ajo e dhënë më sipër nuk do të pranohen.